STAG

LENË OSMANI, ARTI KARABAXHAK, FARIS KARABAXHAK, JARA HALLAQI, MAXHIRE SOJEVA DHE AMANT SEJDIU KAMPIONË PËR U17, U9 DHE U13 NË TURNEUN PËR DITËN E ÇLIRIMIT TË KOSOVËS

 Sot, më datë 10 qershor, në hapësirën e shkollës 'Tefik Çanga' në Ferizaj u zhvillua turneu "Dita e Çlirimit të Kosovës" për kategoritë U9, U13 dhe U17, për meshkuj dhe femra.


Lojërat filluan në ora 10:00 me kategorinë U17, ku pamë ndeshje shumë interesante, veçanërisht atë mes Art Karabaxhakut dhe Kampionit të Shqipërisë për U19, Kejdi Kalajës. Ndeshja përfundoi në favor të Art Karabaxhakut me rezultatin 3 me 2, për të vazhduar rrugen drejt finales. Në gjysmëfinale ai u takua me Adriatik Malokun, dhe fitoi edhe atë ndeshje me rezultat 3 me 2. Në gjysmëfinalen tjetër, u përballën Shaban Peza dhe Rron Kolloni. Shabani fitoi pa problem me rezultatin 3 me 0, duke u kualifikuar në finalen.


Finalja në këtë kategori ishte shumë e interesante dhe plot momente emocionuese. Shabani tregoi një performancë të shkëlqyeshme dhe ishte shumë pranë surprizës, duke udhëhequr 2-1 në sete me rezultatet 8-5 në setin e katërt dhe 6-2 në setin e pestë. Megjithatë, Arti u tregua i qetë dhe u kthye në lojë disa herë, duke fituar titullin e kampionit në fund me rezultatin përfundimtar 3 me 2. Ky rezultat i jep shpresë për paraqitje të mirë edhe në Kampionatin Ballkanik për U15 në Greqi.

 Në kategorinë U17 për femra, patëm gjithashtu ndeshje interesante. Në gjysmëfinalen e parë u përballën Lenë Osmani dhe Jona Hashani. Lena e fitoi ndeshjen pa shumë vështirësi me rezultatin 3 me 0. Në gjysmëfinalen e dytë u takuan Taibe Ruli dhe Ajola Behluli, dhe fitoren e siguroi Taibe me rezultatin 3 me 1, duke u kualifikuar për në finale.


Lenë Osmani dhe Taibe Ruli zhvilluan një ndeshje të fortë, me emocione dhe tension të lartë. Në fund, Lenë Osmani tregoi maturi dhe durim më të madh, kështu fitoi ndeshjen me rezultatin 3 me 2 dhe u shpall kampione në kategorinë U17 për femra.

 Pas orës 13:00, u zhvilluan ndeshjet e kategorisë U9. Në finalen e kategorisë për meshkuj u takuan Faris Karabaxhak dhe Arijon Krasniqi. Edhe pse Arijoni luajti mirë, në fund Farisi fitoi ndeshjen me rezultatin 3 me 0 dhe u shpall kampion në kategorinë U9 për meshkuj.

 Në kategorinë U9 për femra, në finale u takuan Jara Hallaqi dhe Azra Haskuka. Ndeshja përfundoi në favor të Jarës me rezultatin 3 me 2, duke e shpallur atë kampione në kategorinë U9 për femra.

 Në kategorinë U13 për meshkuj, u zhvilluan dy gjysmëfinale emocionuese dhe një finale të shkëlqyeshme. Gjysmëfinalja e parë u zhvillua mes Resul Ismailit dhe Amant Sejdiut. Amanti fitoi ndeshjen me rezultatin 3 me 1 në një ndeshje të fortë dhe të ngushtë. Ndeshja e dytë gjysmëfinale u zhvillua mes Muhamet Mudut dhe kampionit nga Shqipëria Albion Lamajt. Lamaj dominoi në këtë ndeshje dhe fitoi me rezultatin 3 me 0. Kështu, Lamaj siguroi një vend në finalen e turneut.


Finalja mes Amant Sejdiut dhe Albion Lamajt ishte një përballje e vërtetë e talentit dhe aftësive. Ndeshja ishte shumë emocionuese dhe u shty deri në pesë sete. Pas një luftë të fortë, Amant Sejdiu arriti të fitojë me rezultatin përfundimtar 3 me 2 dhe u shpall kampion në kategorinë U13 për meshkuj.

 Edhe në kategorinë U13 për femra u zhvilluan ndeshje interesante dhe emocionuese. Në gjysmëfinalen e parë u përballën Maxhire Sojeva dhe Jonida Ibrahimi. Maxhirja fitoi ndeshjen pa shumë vështirësi me rezultatin 3 me 0. Në gjysmëfinalen e dytë u takuan Vlera Beqa dhe Amra Gashi dhe fitoren e siguroi Vlera me rezultatin 3 me 0, duke u kualifikuar për në finalen.


Finalja mes Maxhire Sojevës dhe Vlera Beqës ishte një përballje e mrekullueshme. Megjithatë, Maxhirja ishte më e motivuar dhe fitoi ndeshjen finale me rezultatin përfundimtar 3 me 1, për tu shpallur kampione në kategorinë U13 për femra.


Dy kampionëve, Maxhires dhe Amantit i'u urojmë shumë fat dhe suksese në përfaqësimin e Kosovës në Kampionatin Evropian për U13, në Kroaci.