Ketë të diele, me datë 26 nëntor në hapësirën e shkollës ‘Tefik Çanga’ në Ferizaj, u organizua turneu ‘Dita e Flamurit’ për të rritur, ku u zhvilluan shumë ndeshje të mira.
Garat filluan në ora 10:00 me fazën e grupeve për meshkuj dhe femra me shumë ndeshje te forta dhe me shumë konkurrencë, nga 16 grupe të meshkujve në skeletin kryesor u kualifikuan fituesit e grupeve.Nga grupet e femrave, në skeletin kryesor u kualifikuan vendi i parë dhe i dytë.
Pas përfundimit të fazës së grupeve garat vazhduan me skeletin kryesor.
Në gjysmëfinalen e parë në kategorinë e femrave u takuan dy lojtaret nga klubi ‘Drita F’ e Gjilanit, Alma Mehmeti dhe Lenë Osmani dhe pas një ndeshje me shumë pikë të bukura, ndeshjen e fitoi Alma me rezultat 3:0.
Në gjysmëfinalen tjetër, u takuan Shega Hashani dhe Leoresa Imeri. Ndeshja ishte e baraspeshuar, me shumë momente emocionuese, kthesa në rezultat dhe tension. Leoresa luajti lojë të mirë, mirëpo Shega tregoi më shumë qetësi dhe durim dhe fitoi ndeshjen me rezultat përfundimtar 3:2.
Në finale Shega dhe Alma luajtën në një ndeshje shume interesante, por Shega tregoi përqendrim maksimal dhe e fitoi ndeshjen me rezultat 3:0 dhe kështu u shpall fituese e turneut 'Dita e Flamurit' për senior në kategorinë e femrave.
Në kategorinë e meshkujve në gjysmëfinalen e parë u takuan Kreshnik Mahmuti dhe Yll Dragidella. Ata zhvilluan ndeshje me plotë pikë atraktive për publikun por në fund lojën e fitoi Kreshniku me rezultat 3:1.
Në gjysmëfinalen tjetër u takuan Fatih Karabaxhaku dhe Murat Kurtullush i cili në 16-ten e finales e befasoi Blend Hajdarin, u zhvillua një ndeshje shumë interesante dhe me shumë pikë atraktive. Të dy lojtarët luajtën mjaft mirë, por Fatihu ishte më i etur për fitore dhe kështu ndeshjen e fitoi me rezultat 3:0.
Në finale u takuan dy lojtarët nga ekipi ‘Lidhja e Prizrenit’, Fatih Karabaxhaku dhe Kreshnik Mahmuti. Në setin e parë Kreshniku fitoi bindshëm duke lënë përshtypje se edhe kësaj radhe do të jetë fitues, mirëpo Fatihu ndryshoi lojën duke fituar setin e dytë dhe të tretin. Setin e katërt e fitoi Kreshniku për ta barazuar rezultatin në 2:2 dhe për ta dërguar ndeshjen në setin përcaktues.
Në setin e fundit Fatihu ishte shumë i fokusuar dhe me lojë stabile menaxhoi ta fiton setin përcaktues dhe kështu u shpall fitues i turneut ‘Dita e Flamurit’ për senior në kategorinë e meshkujve.
FITUESITKATEGORIA E MESHKUJVE
FATIH KARABAXHAKU
KRESHNIK MAHMUTI
YLL DRAGIDELLA
MURAT KURTULUS
KATEGORIA E FEMRAVE
SHEGA HASHANI
ALMA MEHMETI
LENË OSMANI
LEORESA IMERI