Të dielën në Palestrën e Shkollës Astrit Bytyçi, në Ferizaj është mbajtur Kampionati individual për Seniorë në të cilin morën pjesë lojtarët më të mirë nga renditja aktuale.
Kampionët e rinj për vitin 2026 janë Shega Hashani për femra dhe Fatih Karabaxhaku për meshkuj. Ndërkaq te kategoria e çifteve: Leoresa Imeri/Shega Hashani për femra, Blend Hajdari/Fatih Karabaxhaku për meshkuj dhe Fatih Karabaxhaku/Taibe Ruli për çifte të përziera.
Në kategorinë e femrave, Shega Hashani arriti ta rimarrë titullin e kampiones, duke e mposhtur në finale kampionen në fuqi, Leoresa Imerin, me rezultat 3:0 në seta. Në gjysmëfinale, Shega Hashani fitoi ndaj Alma Mehmetit, ndërsa Leoresa Imeri mposhti Lenë Osmanin me rezultat 3:2. Në ndeshjen për vendin e tretë, Lenë Osmani fitoi ndaj Alma Mehmetit me 3:0 në seta.
Te meshkujt, Fatih Karabaxhaku, arrin një rekord të rrallë, pasi arriti që të triumfojë në të tria kategoritë. Në atë individuale arriti të dominojë ndaj Kreshnik Mahmutit me rezultat 3:0 .Në gjysmëfinale Karabaxhaku fitoi ndaj Rrahman Ademajt me rezultat 3:1 në seta. Kreshniku, ndërkaq, në çerekfinale u përball me veteranin e pingpongut dhe ish-kampionin e shumëfishtë Besart Domanikun ndaj të cilit fitoi 3:0, sikur edhe ndaj Blend Hajdarit në duelin gjysmëfinal me 3:0.
Në ndeshjen për vendin e tretë, Rrahman Ademaj e mundi Blendi Hajdarin me 3:0 në seta. Vlen të përmendet që Rrahman Ademaj, me dy vende të dyta dhe një të tretë ishte ndër më të suksesshmit.
Fundjavën që vjen, më 4 dhe 5 prill fillojnë garat ekipore në të gjitha ligat.