Me ndeshjet e së dieles, është përmbyllur stinori vjeshtor i Ligës së Parë për Meshkuj dhe pjesa e rregullt e Ligës së Dytë, e cila do të vazhdojë me garat e play-offit.
Bashkimi, bindshëm e ka zënë vendin e Parë dhe vitin e ardhshëm, së bashku me Shkollën e Prishtinës, do të jenë anëtarë të rinj të Superligës. Bashkimi e ka fituar derbin ndaj Shkollës me 3:1 në xhiron e fundit dhe vetëm e ka vërtetuar titullin dhe kalimin në Superligë. Megjithë humbjen nga Bashkimi, Shkolla ka arritur ta ruajë pozitën e dytë dhe me meritë kualifikohet për Superligë, pasi pati bilanc më të mirë në duelet direkte me Gani Malokun që përfundoi me pikë të njëjta si Shkolla. E katërta, ka dalur Ahmet Hoxha, kurse garë shumë e bukur është zhvilluar edhe për vendin e 6-të, i cili siguronte qëndrimin në Ligë. Tri skuadra ishin pjesë e këtij trilleri sportiv, pasi përfunduan me pikë të njëjta Ahmet Hoxha MK, KVPP Prizreni dhe Drita M. Pas kalkulimit të ndeshjeve të ndërsjella, prizrenasit dhe ferizajasit dolën më mirë se gjilanasit, të cilët vitin e ardhshëm do të detyrohen të jenë pjesë e Ligës së Dytë. E fundit ka përfunduar Llapusha, që bashkë me Dritën bien në rang më të ulët të garave.
Në grupin C të Ligës së Dytë, janë luajtur ndeshjet e javës së fundit. Istogu dhe Maestro nga Peja i kanë siguruar dy pozitat e para, madje Istogu me pikë maksimale dhe javën e ardhshme do të jenë pjesë e play-offit të Ligës së Dytë, me shpresa për të kaluar në Ligën e Parë.
Dukagjini, ka pësuar dy humbje në javën e fundit dhe e ka humbur garën për vendin e dytë madje janë tejkaluar edhe nga Shqiponjat e zeza që renditen në vendin e tretë me 19 pikë. Fitorja Klina është e pesta me 13 pikë, sa ka edhe Shqiponjat Pejë, kurse Vitomirica e mbyllë renditjen me 12 pikë.