STAG

Lenë Osmani dhe Kreshnik Mahmuti triumfojnë në Turneun e Ditës së Flamurit

Të dielën, në Palestrën Astrit Bytyqi, në Ferizaj, është mbajtur turneu tradicional për seniorë, për nder të Ditës së Flamurit, ku morën pjesë lojtarët më të mirë të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Kreshnik Mahmuti dhe Lenë Osmani ishin ata që triumfuan në këtë turne. 

Lena, pas një dueli të vështirë në gjysmëfianle, ku e mundi Alma Mehmetin me rezultat të ngushtë 3:2, në finale u takua me Shega Hashanin e cila në gjysmëfinale e mundi Taibe Rulin me 3:0. Lena edhe në këtë finale dëshmoi formë të mirë dhe me siguri e fitoi titullin e më të mirës duke e shtuar diferencën ndaj rivaleve në renditjen e përgjithshme.

Konkurrenca e meshkujve ishte shumë më komplekse, pasi përveç lojtarëve kosovarë morën pjesë edhe lojtarët më të mirë të Shqipërisë. Dhe, kështu doli të jetë edhe pas rezultateve në grupe dhe në shortin kryesor, ku siç është pritur u ballafaquan dy të parët nga Ranglista e Kosovës me dy më të mirët nga Shqipëria. Fatih Karabaxhaku ishte më bindës ndaj Aron Konit dhe pas fitores 3:0 kaloi në finale, ndërkaq Kreshnik Mahmuti e pati më vështirë ndaj Kejdi Kalajës, lojtarit numër një nga Shqipëria, të cilin e mundi me rezultatin 3:1 në seta.

Në finale, si në shumë turne të tjerë, u përballën dy lojtarët më të mirë të Kosovës, Kreshnik Mahmuti dhe Fatih Karabaxhaku. Fatihu e fitoi një set, por Kreshniku i mori 3 tjerët dhe me meritë doli i pari.