STAG

Gjyqtari kosovar Naim Azemi fiton vlerësimin maksimal në Linz dhe përmbyll kushtin për titullin Blue Badge

 Në Linz të Austrisë, u mbajt turneu prestigjioz ndërkombëtar WTT Youth Contender Linz, një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin botëror të pingpongut për moshat e reja, ku marrin pjesë lojtarët më të mirë nga e gjithë bota.

Përveç garave, ky turne shërben edhe si platformë për vlerësimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të referëve, në aspektin kualitativ. Në këtë kuadër, gjyqtari kosovar Naim Azemi u vlerësua nga dy specialistë ndërkombëtarë, nga të cilët mori vlerësimin maksimal, duke përmbushur me sukses të plotë kushtin për marrjen e titullit prestigjioz Blue Badge (BB).

Vlen të theksohet se nga 12 kandidatë nga mbarë bota që ishin pjesë e këtij procesi vlerësimi, vetëm dy referë arritën ta kalojnë me sukses, ndër ta edhe Naim Azemi, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi dhe kompetence në gjykimin ndërkombëtar.

Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për vetë gjyqtarin Azemi, por edhe për sportin e pingpongut dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

FPPK e përgëzon gjyqtarin Naim Azemi për një arritje të tillë dhe i uron suksese të mëtutjeshme.