Federata e Pingpongut e Kosovës do ta shënojë Ditën e Pavarësisë së Kosovës me organizimin e turneut tradicional “Dita e Pavarësisë”, i cili njëherit shënon edhe hapjen zyrtare të vitit garues 2026.
Turneu do të mbahet të dielën, më 15 shkurt 2026, me fillim nga ora 10:00, në Ferizaj, dhe do të zhvillohet në dy kategori: Seniorë dhe U11.
Në kategorinë e seniorëve kanë të drejtë pjesëmarrjeje të gjithë sportistët e regjistruar në FPPK për vitin 2026, të moshës mbi 16 vjeç, si dhe katër sportistët më të mirë nga ranglista U15. Ndërsa, në kategorinë U11 mund të paraqiten të gjithë sportistët deri në moshën 11 vjeç, respektivisht ata të lindur pas 1 janarit 2015.
Në këtë turne do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe sportistë nga shtetet e tjera.
Turneu “Dita e Pavarësisë” shënon fillimin e një kalendari të pasur garues dhe aktivitetesh që FPPK ka planifikuar gjatë vitit 2026.
