|
Jeta e njeriut është e shkurtër, ndërkaq veprat e tij janë të përjetshme. Andaj përpjekjet për të krijuar vepra me vlera të mirëfillta shoqërore e njerëzore mbeten synimi më i lartë i njeriut. Të edukosh breza të rinj dhe të formosh njerëz të rritur, të edukuar dhe të emancipuar, është një detyrë e shenjtë, këtë detyrë ka arritur ta përmbushë, Bedri Ajeti. Ai, gjatë jetës së tij të bujshme, ka arritur që me përpjekje këmbëngulëse, të përshkuara me një frymë të shëndoshë sportive, të bëjë shumë, si për familjen e tij, shoqërinë në përgjithësi dhe sportin e pingpongut në veçanti. Nëse do të kërkonim një pedagog, trajner dhe personalitet të respektuar në pingpongun e Kosovës atë do ta gjejmë te Bedriu.
Një njeri i mirë, i sinqertë, plot me energji pozitive, i cili një jetë të tërë ia kushtoi një ideali shumë të lartë, formimit të personaliteteve sportive. Ai ka zbuluar talentë, i ka zhvilluar ata, ka përcjellur rritën sportive të fëmijëve deri në krijimin e personalitetit të tyre të plotë. Bedriu, me aftësitë e tij të dëshmuara prej trajneri, me afërsinë e tij prindërore, ka arritur të depërtojë thellë në shpirtin sportiv të nxënësve të tij. Rezultatet e punës së tij i kemi të pranishme që nga fillimet e karrierës së tij si trajner, të cilës i qëndroi besnik deri në fund të jetës së tij. Shumë breza të lojtarëve të dalur nga shkolla e pingpongut e “MJESHTRIT” të madh kanë mbizotëruar sportin e pingpongut për dekada të tëra. Lojtarët e formuar nga Bedriu kanë formuar boshtin kryesor të ekipit kombëtar të Kosovës të gjitha grup-moshave të reja. Megjithë problemet e tij shëndetësore, ai gjeti forcë, vullnet dhe entuziazëm të pashtershëm, që për një kohë të shkurtër, me një punë të zellshme dhe pa kursyer asgjë, të ringjallë traditën e shkollës së pingpongut në kryeqytet, si dhe të vëjë bazat e shëndosha të klubit të pingpongut “GERÇEK” nga Prishtina. Ai aty ka krijuar një çerdhe të re të talentëve, të cilët në një të ardhme të afërt pritet të dominojnë në skenën e pingpongut të Kosovës, veçanërisht në konkurrencën e femrave. Bedriu u nda nga ne befasisht, pikërisht kur kishte treguar vullnet të madh për të shënuar edhe një periudhë të re të pingpongut të Kosovë. Vdekja e tij e hershme, ka pikëlluar thellë të gjithë, posaçërisht zemrat e njoma të nxënësve të tij, të cilët me ndihmën e tij sapo kishin filluar të përvetësojnë fshehtësitë e lojës virtuoze të pingpongut. Me vdekjen e tij ka humbur shumë, familja e tij, pingpongu dhe sporti, në Kosovë. Shpresojmë se shëmbëlltyra e tij prej njeriu të vyeshëm, do të jetë frymëzim për adhuruesit e pingpongut në klubin e tij, por edhe të mbarë Kosovës që edhe në të ardhmen të punohet më me ngulm në zhvillimin e pingpongut, gjë që ka qenë synimi dhe dëshira më e madhe e Bedriut. Për veprën e Bedriut duhet të jenë krenarë, fëmijët dhe familja e tij, si dhe të gjithë ata që kanë pasur nderin të punojnë e veprojnë me të. ZOTI E MËSHIROFTË SHPIRTIN E TIJ TË ÇILTËR, kurse familjes, të afërmve dhe të gjithë shokëve e kolegëve të tij ua shtoftë durimin. |