Prishtina - Kampion ekipor për meshkuj dhe femra
Navigimi

Prishtina - Kampion ekipor për femra dhe meshkuj

2016-10-16

Prishtinë, 16 Tetor 2016

 

Sot në një atmosferë konkurruese para shumë spektatorëve në Prishtinë u zhvilluan ndeshjet e javës së fundit të kampionatit ekipor të Kosovës për vitin 2016 në pingpong, në superligën e meshkujve dhe të femrave si dhe në ligën e parë të meshkujve.


Prishtina (M) kampion ekipor i Seniorëve për vitin 2016

 

Prishtina (Baton Çitaku, Besart Domaniku, Linor Çitaku, Petrit Dragidella dhe Ylli Prestreshi) e përfundoi vitin 2016 pa asnjë humbje, dhe me meritë u shpall Kampion ekipor për vitin 2016. Në ndeshjen e fundit të këtij sezoni ata patën përballje të fortë me ‘Ahmet Hoxhen’ që përfundoi pas gati 4 orësh lojë me rezultat të ngushtë 4:3

 

Për mbetje në superligë u ndeshën Vllaznimi dhe Dodona, edhe pse gjakovarët luftuan me të gjitha forcat e tyre, ata nuk patën fatin që në ndeshjen e drejtpërdrejtë për mbetje në superligë të fitojnë ndaj Dodonës, të cilët fituan me rezultat bindës 4:0.

Ndeshje interesante u zhvillua edhe për pozitën e katërt ndërmjet Prizrenit dhe Shkollës, të cilën e fituan të rinjët nga Prishtina me rezultat 4:2, dhe kështu siguruan pozitën e katërt në bazë të ndeshjeve të ndërmjetme.


Prishtina (F) Kampion ekipor i Senioreve për vitin 2016

 

Të dielën po ashtu u zhvilluan edhe ndeshjet e superligës së femrave, edhe kësaj radhe Prishtina (Era Janjeva, Iliriana Haliti dhe Vlona Maloku) triumfoi me lehtësi, ndaj Ahmet Hoxhes dhe Shkollës, ndërsa Drita paraprakisht kishte deklaruar se nuk do të mund të vinte në gara.


Hasan Prishtina dhe Vushtrria anëtar të rinj të superligës

 

Edhe në ligën e parë të meshkujve sot ishin xhirot e fundit për vitin 2016. Dy ekipet nga Vushtrria e kishin siguruar më herët vendin në superligë, andaj edhe ndeshjet e fundit i filluan pa presion. Hasan Prishtina fitoi ndaj Mushtishtit me 3:0, ndërsa Vushtrria që nuk u paraqit me ekipin më të fortë u befasua nga Dardana me 3:1