Maloku e Çitaku Kampion te turneut "Dita e Pavaresise"
Navigimi

Maloku e Çitaku Kampion te turneut "Dita e Pavaresise"

2014-02-16

Prishtinë, 16 shkurt. Sot, në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë u mbajt turneu i gjashtë me radhë për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Morën pjesë mbi 100 lojtarë dhe lojtare nga të gjitha klubet e Kosovës. Ky njëherit ishte aktiviteti i parë i FPPK-së në këtë vit.

U zhvilluan ndeshje interesante si në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe të femrave. Te femrat deri në gjysmëfinale gjithçka shkoi sipas parashikimeve, përveç humbjes së Nehare Janjevës, e cila është bartëse e dytë, e cila humbi nga Xhemile Hasani (nga ky stinor lojtare e KP Shkolla nga Prishtina). Xhemilja, që shquhet si lojtare e papërshtatshme për të gjitha rivalet e saj, falë lojës së saj mbrojtëse e cila i përshtatet më së miri aftësive të saj psikomotorike. Në gjysmëfinalen e parë, Vlona Maloku hasi në rezistencë të denjë te Linda Zeqiri. Pas shumë momenteve interesante dhe një loje të bukur dhe cilësore, fitore shënoi Vlona me rezultatin e ngushtë 3:2 në sete, në gjysmëfinalen e dytë Xhemilja u mund nga Iliriana Haliti e KP Shpresa me rezultatin bindës 3:0 që i mundësoi Ilirianës ta sfidojë favoriten Vlona Maloku.

Në ndeshjen finale, Vlona Maloku, i fitoi dy setat e parë dhe u mendua se do të fitojë me lehtësi, por Iliriana e fitoi setin e tretë duke e bërë finalen më interesante dhe të pa qartë, sa i përket epilogut final. Megjithatë kjo ishte e tëra çfarë bëri Iliriana, pasi Vlona ishte shumë e disponuar dhe e gëzuar pasi sot kishte marrë një lajm të mirë nga ITTF për mundësinë që ta përfaqësojë Kosovën në Kampionate Botërore, pasi ajo kishte të drejtë të luante vetëm në Kampionate evropiane (më parë ka qenë anëtare e përfaqësueses së Sllovenisë për të reja).

Edhe konkurrenca e meshkujve nuk kaloi pa befasi. Për një të tillë u përkujdes veterani ende aktiv, Besart Domaniku. Besarti, pas një kohe të gjatë e mundi favoritin, Rrahman Ademaj të KP Elting Kosova me rezultatin 3:2 në seta. Në gjysmëfinale u plasuan tre lojtarë të KP Prishtina dhe një nga Elting Kosova. Lojtarët e këtyre dy klubeve zakonisht janë protagonistë të takimeve përfundimtare. I tillë ishte edhe takimi çerekfinal ndërmjet Jeton Oruçit dhe Baton Çitakut, të cilin e fitoi Çitaku pas një loje të fortë dhe të bukur.

Gjysmëfinalja e parë u zhvillua ndërmjet Besart Domanikut dhe Baton Çitakut. Setin e parë e fitoi Batoni i cili ishte në rolin e favoritit, duke qenë bartësi i dytë. Në setin e dytë, ndërkaq Besarti ishte më i suksesshëm dhe e barazoi rezultatin në 1:1 në seta. Megjithatë, në vazhdim Batoni ishte më i freskët dhe me meritë shënoi fitore me 3:1 në seta. Në gjysmëfinalen e dytë ndërmjet Linor Çitakut dhe Milot Makollit, Çitaku i fitoi dy seta e parë duke bërë kështu hapa të sigurte drejt finales, të cilën e kishte fituar vitin e kaluar. Miloti e fitoi setin e tretë, por Setin e katër e fitoi Linori dhe me 3:1 në seta u rendit në finale ku e priste vëllai i tij, Baton Çitaku.

Ndeshja finale ishte ballafaqimi i dy lojtarëve më të mirë aktualisht, i pari (Linori) dhe i dyti (Batoni) në Renditjen e përgjithshme të FPPK-së. Finalja filloi me ritëm të lartë dhe e barabartë për nga rezultati. Pas barazimit 1:1 në seta, Linori u tregua më këmbëngulës duke fituar dy setat e radhë dhe tërë ndeshjen me 3:1, dhe me meritë e arsyetoi epitetin e favoritit dhe e mbrojti titullin e fituar vitin e kaluar.

Fituesit e 3 vendeve të para u shpërblyen me mirënjohje dhe medale, kurse kampionët edhe me Kupa.

Aktiviteti i radhës është fundjavën e ardhshme, kur do të zhvillohet turneu po ashtu tradicional “Adem Jashari”.

RENDITJA

FEMRAT:

  1. VLONA MALOKU
  2. ILIRIANA HALITI
  3. LINDA ZEQIRI
  4. XHEMILE HASANI

MESHKUJT

  1. LINOR ÇITAKU
  2. BATON ÇITAKU
  3. MILOT MAKOLLI
  4. BESART DOMANIKU

FPPK - zyra per informim