Makolli e Janjeva kampiona te turneut "Festari 2015"
Navigimi

Makolli e Janjeva kampiona te turneut "Festari 2015"

2015-10-01

Turneu Festari Open 2015

MILOT MAKOLLI DHE NEHARE JANJEVA FITUES TË TURNEUT FESTARI OPEN 2015

Të dielën, më 27 shtator, Federata e pingpongut e Kosoves duke ju falënderuar organizimit të mirë nga Kpp Mushtishti dhe Departamenti i Kulturës Rinis dhe sportit të Komunës së Suharekës, organizoi turneun tradicional ‘Festari Open’ në Palestrën e Sportit në Therandë.

Në turne morën pjesë rreth 100 pingpongistë meshkuj dhe femra. Për shkak të pjesëmarrjes në Ekaterinburg të Rusisë me reprezentacionin e Kosovës, në turne munguan: Vlona Maloku, Iliriana Haliti dhe Linda Zeqiri te femrat dhe Linor Çitaku, Besart Domaniku dhe Baton Çitaku te meshkujt. Garat u zhvilluan, së pari nëpër grupe me sistem Round Robin (secili me secilin), për tu renditur pastaj dy të parët nga secili grup në sistem mënjanimi. Gara ishte maratonike që prej mëngjesit e deri në ora 19 në mbrëmje dhe u përshkua me rivalitet të lartë, posaçërisht në konkurrencën e meshkujve.

Befasi e mirë në këtë turne ishte hyrja e të riut, Kreshnik Mahmutit, (14 vjeçar) nga Prizreni në 16 më të mirët, ai madje në ndeshjen e tij të katërt fitoi ndaj Kasum Morinës me përvojë me rezultat bindës 3:0. Ndeshje shumë e fortë u zhvillua ndërmjet Astrit Hasanit dhe veteranit Rifat Rifatit, që përfundoi me rezultat të ngushtë 3:2 (14:12 në setin e fundit) për Astritin. Si zakonisht rivaliteti ngritët në maksimum në të tetën e finales. Rrahman Ademaj fitoi me lehtësi ndaj Astrit Hasanit të rraskapitur me 3:0. Alban Hoxha humbi nga vendasi i tij Mentor Shabani me 3:1. Yll Maloku nuk i la mundësi Yll Prestreshit duke fituar me 3:0, e ndeshja ma e fortë në çerekfinale ishte ajo ndërmjet Milot Makollit dhe Jeton Azizit, fillimisht dukej se Miloti do të ketë punë të lehtë, pasi udhëhoqi me 2:0, por Jeton Azizi vërtetoi edhe një herë se është lojtari mbrojtës me ‘therë’ më i miri në Kosovë duke e kthyer rezultatin e madje edhe duke udhëhequr në setin e fundit, por te rezultati 9:9, Miloti tregoi angazhim maksimal për të fituar me 3:2.

gjysmëfinale u takuan lojtarët e klubit ‘Ahmet Hoxha’ me lojtarët e klubit ‘Elting Kosova’, të dy gjysmëfinalet ishin shumë të forta. Në gjysmëfinalen e parë u takuan, Rrahman Ademaj dhe Mentor Shabani, të dy lojtarët treguan lojë shumë të mirë, Mentori dëshmoi se është duke iu afruar fitores ndaj Rrahmanit, por edhe kësaj radhe Rrahmani nuk lëshoi pe duke fituar me 3:1. Edhe gjysmëfinalja tjetër ishte shumë e fortë, u takuan Milot Makolli dhe Yll Maloku, edhe pse Miloti fitoi ndeshjen, Ylli tregoi lojën e tij më të mirë deri më tani, duke sulmuar në të gjitha format e mundshme, me angazhim të jashtëzakonshëm, por Miloti nuk u dorëzua por fitoi ndeshjen me 3:1.

finale u takuan dy bashkë lojtarët e Elting Kosovës, të pranishmit ishin dëshmitar të shumë goditjeve interesante dhe të shpejta që nuk shihen shpesh në turnetë kosovare, sigurisht pasi ata e ‘njohin’ mirë lojën e njëri tjetrin. Edhe pse pati 4 ndeshje shumë rraskapitëse, Miloti dukej se sapo ka filluar setin e parë, duke u angazhuar për të gjithë poenët e kështu duke ja pamundësuar Rrahmanit që të përfundonte poenët me goditjet e tij të forta me forehend dhe backhand. Edhe pse Rrahmani dy herë udhëhoqi, në fund me meritë Miloti fitoi titullin e kampionit duke fituar me rezultat të ngushtë 3:2 (6:11, 11:9, 6:11, 11:6, 11::5).

Në konkurrencën e femrave pjesëmarrja kësaj radhe ishte mjaft e vogël. Në gjysmë finalen e parë Edona Shabani i bëri konkurrencë të fortë Era Janjevës, por Era nuk i lejoj më shumë se 1 set, e kështu fitoi me 3:1, në gjysmëfinalen e dytë Nehare Janjeva ishte tepër më e fortë se e reja nga Prizreni, Jehona Kurtaj, duke fituar me 3:0. Në finale Nehare Janjeva dhe Era Janjeva treguan shumë lojë të mirë e cilësore, në fund Neharja e fitoi titullin e dytë të kampionit në këtë vit duke fituar me 3:1 (8:11, 11:6, 11:8, 11:8).

Fituesit e tri vendeve të para u shpërblyen me Kupa, medalje dhe diploma nga Organizatori.