LINOR ÇITAKU DHE VLONA MALOKU FITUES TË TURNEUT TË PAVARËSISË
Navigimi

LINOR CITAKU DHE VLONA MALOKU FITUES TË TURNEUT TË PAVARËSISË

2013-02-17

Kampionet e Pavaresise

17 shkurt 2013

 

Pesë vjetori i Pavarësisë së Kosovës, gjatë kësaj fundjave, nga FPPK u shënua me dy aktivitete: të shtunën me ndeshjen miqësore ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Kosovës  për meshkuj dhe për  femra, kurse sot turneun e parë individual për këtë vit.

Në turne morën pjesë mbi 120 pingpongistë dhe pingpongistë nga të gjitha klubet e Kosovës.

Garat u zhvilluan në sistem mënjanues dhe gjatë gjithë ditës, sa zgjati gara, pati ndeshje interesante dhe cilësore. Në mesin e pjesëmarrësve ishin e disa lojtarë të rinj dhe të rritur nga klubi i posaformuar “Galileo” nga Graçanica, me ç’rast Branisllav Markoviq arriti të depërtojë ndër 16 më të mirët. Në konkurrencën e femrave fituese doli Vlona Maloku, duke i fituar të gjitha takimet në mënyrë superiore. Në finale Maloku e mundi kolegen e saj nga ekipi përfaqësues, Iliriana Haliti, me rezultatin 3:1 në seta. Në setin e parë Haliti luajti mirë dhe e mbylli atë në favor të saj. Por, në setet vijues, erdhi në shprehje cilësia dhe përvoja e Malokut e cila mbizotëroi në të gjitha elementet e lojës dhe me meritë shënoi fitore. Në konkurrencën e meshkujve, ndërkaq përveç masovitetit, pamë edhe një rivalitet më të madh dhe cilësi më të nivelizuar. Mungesa e bartësit të parë të ranglistëts aktuale, Rrahman Ademi, e bëri më të hapur garën dhe pati më shumë pretendentë për vendin e parë. Në gjysmëfinale u takuan, Yll Prestreshi dhe Baton Çitaku, si dhe Linor Çitaku e Jeton Oruçi. Ndeshja ndërmjet Prestreshit dhe Baton Çitakut ishte më e nivelizuar dhe e paqartë deri në fund, kurse fitorja i takoi Çitakut me rezultatin 3:2 në seta. Në duelin tjetër gjysmëfinal, Linor Çitaku ishte më i disponuar se kolegu i tij nga ekipi përfaqëuses  i Kosovës Oruçi, andaj me meritë e fitoi me rezultatin 3:0 në seta. Në finale, u ndeshën vëllezërit Çitaku, Batoni, i treti në Ranglistën e Përgjithshme (nga sot i dyti) dhe Linori një pozitë më poshtë, në renditjen e përgjithshme. Linori, tregoi lojë më të pjekur dhe në fund triumfoi me meritë me rezultatin 3:0.

Për fituesit e vendeve të para FPPK, ndau Kupa, medalje dhe Diploma.