LINOR CITAKU DHE VLONA MALOKU FITUES TE TURNEUT ADEM JASHARI 2013
Navigimi

LINOR CITAKU DHE VLONA MALOKU FITUES TE TURNEUT ADEM JASHARI 2013

2013-03-04

Fituesit

Të dielën, më 3 Mars, në Palestrën e Sportit në Therandë, u mbajt turneu tradicional për nder të Javës  së Komandantit “ADEM JASHARI”. Ishte ky turneu më masovik i organizuar deri më tani, por edhe më cilësori. Morën pjesë rreth 125 pingpongistë dhe 25 pingpongiste nga Kosova, Shqipëria dhe nga Maqedonia. Garat u zhvilluan, së pari nëpër grupe me sistem Round Robin (secili me secilin), për tu renditur pastaj dy të parët nga secili grup në sistem mënjanimi. Gara ishte maratonike që prej mëngjesit e deri në ora 20 në mbrëmje dhe u përshkua me rivalitet të lartë, në të dyja konkurrencat. Natyrisht konkurrenca e meshkujve ishte më masovike dhe me rivalitet e cilësi më të lartë. Në ngritjen e cilësisë ndikoi edhe pjesëmarrja e lojtarëve jashtë Kosovës, sidomos atyre nga Maqedonia. Një nga ndeshjet më interesante u zhvillua ndërmjet Besart Domanikut dhe Sasha Apostolovskit nga Maqedonia, një nga më të mirët e Maqedonisë. Besarti luajti shpejt dhe bukur, si në ditët më të mira dhe e befasoi Maqedonin e ri duke e mundur me 3:2 në seta. Si zakonisht rivaliteti ngritet në maksimum në takimet gjysmë finale ku takohen liderët e renditjes së përgjithshme. Në njërën gjysmëfinale u takuan i pari, Rrahman Ademaj dhe i katërti, Linor Çitaku. Pas pesë setave lojë të fortë fitorja  i takoi Linorit dhe me meritë u rendit në finale për të dytën herë këtë vit. Gjysmëfinalja tjetër ishte poashtu e ngushtë në rezultat, ku në fund triumfoi numri dy në renditje Baton Çitaku, ndaj numrit 3, Milot Makollit me 3:2 në sete. Finalja ishte përsëritje e turneut të Pavarësisë, ku u takuan Vëllezërit Çitaku, Linor dhe Baton. Përsëri doli të jetë më i mirë Linori dhe me 3:1 në seta siguroi edhe triumfin e dytë në këtë vit, duke paralajmëruar se beteja për vendin e parë në renditjen e përgjithshme do të jetë më e fortë se asnjëherë më parë.

Në konkurrencën e femrave, përveç kosovareve, rivalizuan edhe disa lojtare nga Shqipëria dhe nga Maqedonia. Megjithatë, lojtaret tona dëshmuan se kohëve të fundit kanë bërë një ngritje në cilësi dhe katër vendet e para ishin të rezervuara për to. Në gjysmëfinalen e parë, Iliriana Haliti e mundi Nuraj Kurteshin me 3:1 në seta, kurse, duel interesant dhe i paqartë deri në fund u zhvillua ndërmjet Vlona Malokut dhe Amare Janjevës. Megjithëse Amarja udhëhoqi me 2:0 në sete, nuk ia doli ta pengojë rikthimin e Vlona Malokut, e cila në momente dëshmonte cilësi, për një klasë më të larta se rivalet e saj

dhe ngadalë po e vendos mbizotërimin e saj. Në ndeshjen finale, Iliriana u përpoq mjaft me lojë luftarake që ti rezistojë Malokut, por kjo i mjaftoi vetëm për ta fituar një set, përndryshe epilogu i fitueses i takoi Malokut, e cila brenda dy javësh triumfoi për herë të dytë dhe po ngjitet drejt kreut të renditjes, që sipas cilësisë pa dyshim që e meriton plotësisht.

Organizimi i turneut në nivel shumë të lartë u bë i mundur me ndihmën e klubit Therandas dhe strukturave gjegjëse komunale, si dhe nga ana e FPPK-së. Në përgjithësi atmosfera dhe rrjedha e turneut ishte impozante, me çka mysafirët nga vendet tjera u befasuan këndshëm. Fituesit e tri vendeve të para u shpërblyen me Kupa, medale dhe diploma.

 

REZULTATET:

Femrat – gjysmëfinale:

Iliriana Haliti – Nuraj Kurteshi      3:1

Vlona Maloku – Amare Janjeva 3:2

FINALE

Vlona Maloku - Iliriana Haliti        3:1 ( 8:11, 11:4, 11:4, 11:7)

MESHKUJT

gjysmëfinale:

Baton Çitaku – Milot Makolli       3:2

Linor Çitaku – Rrahman Ademaj                3:2

FINALE

Linor Çitaku - Baton Çitaku           3.1 ( 11:7, 14:12, 9:11, 11:7)