Liga e perbashket Kosove - Shqiperi "DARDANIA"
Navigimi

SUPERLIGA E PËRBASHKËT KOSOVË-SHQIPËRI “DARDANIA”

2013-12-22

Therandë, 21 Dhjetor.

Në jubileun e 10-të të pranimit të FPPK-së në ITTF dhe të 20-in të FSHP-së, Federatat e të dy vendeve kanë bërë një hap tjetër që do të shënohet në historinë e re të dy vendeve. Ka qenë ëndërr e kahershme e jona për t’u bashkuar dhe për të vepruar si një. Dhe pingpongu është I pari që e arrin këtë, duke qenë shembull për sportet dhe lëmenjtë tjerë. Në të vërtetë kjo është vazhdimësi e bashkëpunimit të frytshëm dhe të gjatë ndërmjet dy federatave. Vitet që I paraprinë kësaj ngjarjeje historike, janë përshkuar me aktivitete të tjera paraprake të përbashkëta.

Gara, kësaj radhe mbeti nën hijen e rëndësisë dhe peshës së vetë aktit sublim të njësimit real të një populli që përfaqëson formalisht dy shtete. Nikoqiri I këtij aktiviteti I kishte bërë të gjitha përgatitjet e duhura në aspektin teknik dhe organizativ. Palestra e 13 Qershori e Therandës, barttte krenarinë e të qenit e para në realizimin e ëndrrës sonë. Atmosfera ishte më shumë se sportive. Megjithë aktivitetet e mëparshme ky ishte për herë të parë në këtë format, që i tejkalon të gjithë të mëparshmit. U tubuan dhe u bashkuan 16 ekipet elite të dy vendeve, tetë nga secila Federatë, katër femra, 4 meshkuj.

Sipas kronologjisë, të gjithë pingpongistët e pingpongdashësit, së pari I nderuan himnet e dy shteteve. Më pas filloi aktiviteti sportiv maratonik nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 20 të mbrëmjes. Sipas marrëveshjes, së nënshkruar më parë (më 28 Nëntor 2013) në turnin e parë që do të zhvillohej në Kosovë, do të zhvilloheshin katër xhiro ndërmjet skuadrave vendase dhe atyre mike, kurse rezultatet e ballafaqimeve të skuadrave që vijnë nga Federata e njëjtë do të kalkuloheshin nga rezultatet e arritura në Kampionatet përkatëse kombëtare.

Që nga xhiroja e parë, ndeshjet patën rivalitet sportiv, duke mos munguar edhe cilësia. Kështu në këtë xhiro vlen të përmendet ndeshja Ilir lushtaku-Berati, ku drenicaket ia dolën të befasojnë njërën nga skuadrat më të forta shqiptare. Ndërkaq, Drita e Gjilanit e favorizuar ndaj Durrësit, mezi arriti të fitojë me rezultatin e ngushtë 3:2. Te meshkujt, befasi mund të llogaritet fitorja e Shkollës ndaj Beratit, skuadrës më të mirë nga Shqipëria (3:1).

Në xhiron e dytë, te femrat, u zhvilluan ndeshje shumë interesante të cilat përfunduan me rezultate shumë të ngushta 3:2 (fituan Prishtina, Drita e Shkolla, kurse humbi Ilir Lushtaku nga Studenti).

Te meshkujt ndeshja më interesante e ditës u zhvillua ndërmjet Prishtinës dhe Beratit. Rrjedha e ndeshjes shkonte në favor të Beratit, ku Ilir Shabani dhe Dorian Topia fituan ndaj Baton Çitakut. Yll Prestreshi e mundi Andi Kolën, kurse pikët vendimtare i solli, Linor Çitaku (së pari e mundi Dorian Tapinë) e shpëtoi Prishtinën nga humbja duke e mundur Ilir Shabanin me 3:2 në sete).

Në xhiron e tretë, Berati përsëri ishte protagonist i xhiros ku zhvilloi një lojë shumë të barabartë dhe atraktive ndaj Ahmet Hoxhës, nga Ferizaj. Fitorja në fund i takoi Beratit me rezultatin e ngushtë 3:2.

Xhiroja e tretë e femrave kaloi me fitore të pastërta të skuadrave nga Kosova, me përjashtim të Ilir Lushtakut, që pothuajse u shpenzua në xhiron e parë me fitoren ndaj Beratit dhe i humbi pastaj ndeshjet tjera me radhë.

Ndeshje e ngjashme u zhvillua edhe ndërmjet djemve të Shkollës e Durrësit (të dyja ekipet në përbërjet e tyre futën lojtarët perspektivë-kadetë e juniorë), për ta fituar ndeshjen Shkolla me 3:2 në sete.

Xhiroja e katërt është pritur të jetë më me rivalitet pasi takoheshin ekipet kampione të dy shteteve, por ndoshta pak si pasojë e lodhjes ra intensiteti i lojës dhe skuadrat nga Kosova u treguan më superiore. Kështu Prishtina te femrat e mundi Beratin me 3:0, në sete, kurse Elting Kosova te meshkujt e arsyetoi epitetin e favoritit të ditës dhe me 3:0 e mundi Beratin, duke e përmbyllur kështu këtë cikël të parë garash të SUPERLIGËS Dardania me katër fitore dhe të gjitha me 3:0.

Marrë në përgjithësi u zhvillua një garë shumë e mirë, duke mos e harruar edhe punën e palodhshme dhe të përpiktë të gjyqtarëve nga Kosova dhe (njërit nga Shqipëria), e cila u përmbyll me darkë të përbashkët.

Aktivitetin e ndihmoi, Kuvendi Komunal i Therandës, që bëri përpjekje maksimale për ta ngrohur palestrën deri diku, si dhe u përkujdes për akomodimin e të gjithë pjesëmarrësve.

Pjesa e dytë e këtij aktiviteti do të zhvillohet në pranverë të vitit 2014 në VLORË.