Kreshnik Mahmuti i fortë si figurat e këngëve kreshnike
Navigimi

2016-10-09

KRESHNIK MAHMUTI I FORTË SI FIGURAT E KËNGËVE KRESHNIKE


 

Therandë, 2 Tetor.

 

Sot, në Palestrën e Sporteve në Therandë, me organizimin e KP Mushtishti dhe Komunës së Therandës dhe me përkrahjen e FPPK-së, u zhvillua turneu tradicional Festari Open, ku morën pjesë rreth 100 pingpongistë nga Kosova.

Turneu i sotëm kaloi i gjithi në shenjë të suksesit senzacionalt të lojtari më të talentuar të pingpongut kosovar, Kreshnik Mahmutit nga KP Lidhja e Prizrenit. Kreshniku është ende lojtar kadet, por rregullisht merr pjesë edhe në garat e juniorëve dhe të seniorëve. Rezultate të mira ai ka arritur edhe në garat e Superligës së Seniorëve ku ka shënuar fitore ndaj lojtarëve shumë cilësorë. Megjithatë, triumfi i tij në turneun e sotëm i la të habitur e njëkohësisht të mahnitur të gjithë të pranishmit. Askush nuk e ka llogaritur atë si kandidat serioz, por ai kishte menduar ndryshe. Ai, së pari u rendit në mesin e 8 lojtarëve më të mirë, ku u ndesh me Linor Çitakun, lojtarin më të mirë të Kosovës në tre vitet e fundit. Kreshniku nuk u dëshprua pas disavantazhit të rivalit me 0:2 në sete, por së pari arriti të mbetet në lojë, duke e fituar setin e tretë, për të barazuar më pas dhe për të triumfuar bindshëm në setin e pestë vendimtar. Dhe kjo ishte fillimi i senzacionit. Në takimin gjysmëfinal e mundi edhe lojtarin më të mirë të të gjitha kohëve, Besart Domanikun, me 3:0 në sete dhe u rendit në finale për herë të parë në karrierën e tij.

Në takimin e dytë gjysmëfinal, u takuan Ylli Prestreshi dhe Baton Çitaku, të dy nga KP Prishtina. Më i suksesshëm u tregua Ylli që fitoi me rezultatin 3:0 në sete.

Finalja, me dy rivalë jo shumë të pritur, solli lojë të mirë dhe atraktive, madje ngapak edhe tensione te trajnerët e të dy lojtarëve. Setin e parë e Fitoi Kreshniku, kurse në të dytin Ylli me mbrojtje të sigurtë dhe sulme të sakta e barazoi rezultatin. Megjithatë, Kreshniku e kompletoi suksesin e tij të parë për seniorë, duke fituar dy seta vijues dhe krejt ndeshjen me 3:1 në seta. Përveç, lojës cilësore, Kreshniku ishte edhe mbi nivelin e trajnerit të tij, sjellja e të cilit nuk e ndihmon shumë formimin e duhur të lojtarit të tij.

Në konkurrencën e femrave, siç është pritur triumfoi Vlona Maloku, pas një rezistence të fortë nga bashkëlojtarja e saj e klubit Nehare Janjeva. Vlona udhëhoqi 2:0 në seta, për ta humbur setin e tretë dhe për ta bërë më të paqartë epilogun e fituesit. Megjithatë, ajo mblodhi forcë për të triumfuar në fund me 3:1 në seta. Në vendet e treta u plasuan, motrat Zeqiri, nga KP Drita, Linda dhe Hanifja.

Organizatori ndau mirënjohje, medalje dhe për kampionët edhe Kupa.