KPP PRISHTINA (F) - Kampione e Kosoves per vitin 2013
Navigimi

KPP PRISHTINA (F) - Kampione e Kosoves per vitin 2013

2013-10-21

PINGPONG: KAMPIONATI EKIPOR I KOSOVËS

 

PRISHTINA (F) MBRON TITULLIN

 

Ferizaj, 20 tetor 2013.

Sot, në Palestrën e sporteve Bill Klinton, u zhvillua java e shtatë e Kampionatit ekipor të Kosovës në pingpong. Liga e femrave e zhvilloi javën e fundit të këtij viti. Kampioni u vendos në xhiron e fundit ndërmjet dy mëtuesve të vetëm, Prishtinës dhe Dritës nga Gjilani. Në stinorin pranveror Drita kishte fituar me 3:2, në seta dhe kishte një përparësi para duelit vendimtar, kurse Prishtinës i duhej patjetër fitorja për të mbrojtur titullin. Në mungesë të Amare Janjevës, për Prishtinën u paraqit veterania e pingpongut të Kosovës, Besire Domaniku. Në duelin e parë Linda Zeqiri e Dritës e mundi Nehare Janjevën me rezultatin 3:0 në seta. Në takimin e dytë individual, Vlona Maloku, e para në renditjen e përgjithshme të FPPK-së, pas një loje më të mirë dhe të sigurte e mundi Xhemile Hasanin, duke e barazuar rezultatin në 1:1. Besire Domaniku, e shfrytëzoi përvojën e saj për ta mundur lojtaren e re dhe të talentuar Hanife Zeqirin, me rezultatin 3:1 në seta. Në duelin vendimtar, Vlona Maloku edhe njëherë u dëshmua si lojtarja më e mirë në Kosovë (këtë vit i ka fituar të gjitha duelet) dhe ia siguroi fitoren ekipit të saj me 3:1, fitore kjo që e kishte vlerën e titullit të kampionit.

Në Ligën e juniorëve, u zhvilluan ndeshje interesante që patën ndikim në renditjen tabelare. Kp Galileo pas dy fitoreve të sotme nga konkurrentët e drejtpërdrejtë është shumë afër të fitojë titullin e më të mirit. Së pari, Galileo e mundi ekipin e Prishtina 1 me rezultatin 3:2, kurse në takimin e dytë, pati punë edhe më të vështirë ndaj ekipit Shkolla 2, po ashtu me rezultatin e ngushtë 3:2 në sete. Befasi të këndshme mund të llogariten fitoret e KP Theranda 1 ndaj Elif 19 me 3:2 dhe ndaj Prishtina 1 po ashtu me 3:2. Befasi mund të konsiderohet edhe fitorja e Prizrenit me 3:0 ndaj Shkolla 1.

Në Superligën e Meshkujve favoritët shënuan fitore, vetëm se fitorja e Prishtinës nga Ahmet Hoxha qe shumë e mundimshme dhe e ngushtë. Që të mos ndodhë befasia u kujdes, Yll Prestreshi, i cili shënoi dy fitore vendimtare dhe e kompensoi mungesën e Linor Çitakut, duke e shtyrë kështu kremtimin e Elting Kosovës, e cila do të festonte titullin në rast të humbjes së Prishtinës. Megjithatë, gjithçka mbetet të vendoset në xhiron e fundit në duelin e drejtpërdrejtë ndërmjet Eltingut dhe Prishtinës.

Ndërkaq, lufta për mbijetesë është më interesante. Trepça po thuajse është pajtuar me largimin nga Superliga, kurse mjaft interesant ishte takimi i sotëm ndërmjet Ilir Lushtakut dhe Mushtishtit. Drenicasit në saje të lojërave më të mira ia dolën që të shënojnë fitore me rezultatin 3:1, që mund të ketë peshën e sigurimit të mbetjes në elitën e pingpongut. Me gjithë se këto dy ekipe kanë pikë të barabarta, Ilir Lushtaku ka shënuar dy fitore në duelet e drejtpërdrejta dhe në rast se mbeten me pikë të njëjta nga Liga do të largohet Mushtishti. Mushtishtasit, sot e humbën edhe ndeshjen me Elif 19 dhe ia kanë vështirësuar shumë punën vetes, pasi në xhiron e ardhshme, të fundit do të luajnë kundër Shkollës nga Prishtina.

Edhe Liga e Parë e meshkujve pati duelin derbi ndërmjet dy skuadrave që konkurrojnë për të hyrë në Superligë, Hasan Prishtinës dhe Prizrenit. Meçi u përshkua me lojëra të mira e rivalitet të madh për të dhënë fituesin vetëm pas duelit të pestë individual. Fitorja i takoi Prizrenit, i cili kështu i shmanget dy pikë konkurrentit të tij të drejtpërdrejtë dhe me gjasë reale që të kalojë në një rang më të lartë të garave. Në ndeshjet tjera u arritën rezultate të pritura.

 

FPPK - Zyra per informim