Kampionati Ekipor - JAVA e V-te
Navigimi

Suhareke,15 shtator 2013- Në Palestrën e sportit "13 Qershori" në Therandë, u zhvilluan ndeshjet e para të stinorit vjeshtor. Në Ligën e Juniorëve, Prishtina 2 e fitoi derbin në duel me kryesuesin e tabelës, Galileon me rezultatin 3:1 në seta. Befasi mund të llogaritet edhe dy humbjet e Elif 19 nga Shkolla 2, përkatësisht Shkolla 1, si dhe dy humbje të Prishtina 1 nga Prizreni, përkatësisht Theranda 2. Në ndeshjet tjera, u shënuan rezultate të pritura.

Në Ligën e femrave, Prishtina ka mundur Shpresën me rezultat maksimal 3:0, kurse në derbin e javës, Shkolla u mund nga Drita me rezultatin 3:1. Në ndeshjen e zhvilluar më parë, Shpresa e ka mundur Ilir Lushtakun me rezultatin 3:2. Në tabelë vazhdojnë të prijnë Drita në vendin e parë, para Prishtinës në të dytin.

Në Superligën e Meshkujve u tregua pingpong më cilësor. Disa ndeshje ishin atraktive dhe me rezultat të paqartë deri në fund. Kështu, në ndeshjen Trepça-Shkolla, u desh të luhej ndeshja e pestë individuale për tu vendosur fituesi. Në ndeshjen e pestë vendimtare, Besart Domaniku e mundi Fidan Shkupollin e Trepçës dhe ia siguroi fitoren ekipit nga Prishtina. Edhe në ndeshjen e dytë, Shkolla ishte protagoniste e një meçi interesant, por kësaj radhe fitorja i takoi ekipit Ahmet Hoxha me 3:2 në seta.  Kryesuesi i tabelës, Elting Kosova, pa probleme shënoi dy fitore, ndaj Mushtishtit dhe Ilir lushtakut. Dy fitore shënoi edhe konkurrenti i vetëm për vendin e parë, Prishtina që fitoi ndaj Ilir Lushtakut dhe Elif 19 me rezultat identik, 3:0 në seta. Fitore të rëndësishme ka shënuar Mushtishti ndaj konkurrentit të drejtpërdrejtë për mbijetesë në Ligë, Trepçës nga Mitrovica me rezultatin 3:0.

Në Ligën e Parë të meshkujve, në derbin e javës Hankook e mposhti liderin e tabelës Prizrenin dhe ka marrë kryesimin nga prizrenasit. Duhet përmendur se ekipi nga Prizreni ishte si favorit, por gjatë ndeshjes lojtari i tyre Erkan Bajmak, e lëndoi krahun dhe me një lojtar më pak, prizrenasit nuk patën gjasa që të shënojnë fitore me rivalin e drejtpërdrejtë për vendin e parë që çon në Superligën e Kosovës.

Ndeshje interesante dhe me rezultat të paqartë ishte edhe ajo ndërmjet Elektrostubllës dhe Hasan Prishtinës. U desh të luhej meçi vendimtar (i pesti) në mënyrë që vushtrriasit të shënojnë fitore për ta ruajtur hapin me konkurrentët për kreun e tabelës.

Rezultatet e te gjitha ndeshjeve si dhe renditja tabelare sipas Ligave mund ti shkarkoni me poshte.

 

FPPK - Zyra per informim

 

 

2013-09-15