ELTING KOSOVA DHE GALILEO (JUNIORËT) KAMPIONË TË KOSOVËS
Navigimi

ELTING KOSOVA DHE GALILEO (JUNIORËT) KAMPIONË TË KOSOVËS

2013-11-05

PINGPONG: KAMPIONATI EKIPOR I KOSOVËS

ELTING KOSOVA DHE GALILEO  (JUNIORËT) KAMPIONË TË KOSOVËS

PRIZRENI DHE HANKOOK ANËTARË TË RINJ TË SUPERLIGËS

 

Prishtinë, 2 Nëntor 2013.

Sot, në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë, u zhvillua java e tetë (e fundit) e Kampionatit ekipor të Kosovës për të gjitha Ligat.

Në Ligën e juniorëve, në program ishin tri xhirot e fundit. Kp Galileo, më herët u kishte ikur konkurrentëve për dy fitore më shumë dhe i qetë e priti këtë javë, pasi orari i ndeshjeve dukej i favorshëm për ta. Megjithatë, në ndeshjen e parë në duel me KP Shkolla 2, që në fillim të Kampionaitt është llogaritur si favorit për vend të parë, hasi në vështirësi dhe pësoi humbje me rezultatin 3:2. Megjithatë, Galileo përparësinë e krijuar gjatë javëve të mëparshme e vërtetoi në dy duelet vijuese kundër KP Theranda 2 dhe KP Elif 19 dhe me meritë e fitoi titullin e kampionit, që mund të konsiderohet si sukses i madh i tyre, por njëkohësisht edhe si befasi e këtij edicioni të parë të Ligës së Juniorëve. Në ndeshjet tjera favoritët shënuan fitore. Në renditjen përfundimtare, pas Galileos u rreshtuan katër klubet nga Prishtina, Kp Shkolla 2, KP Prishtina 2, KP Shkolla 1 dhe KP Prishtina 1.

Si ekipet më simpatike të Ligës mund të konsiderohen dy skuadrat nga Theranda, si dhe Prizreni (që në radhët e tyre kanë kadetë dhe minikadetë), kurse Elif 19 mund të konsiderohet si befasi jo e këndshme.

Marrë në përgjithësi, inicimi i Ligës së Juniorëve, u tregua shumë e qëlluar dhe u vërtetua se një gjë e tillë është dashur të ndodhë edhe më herët. Duhet thënë, se shumica e klubeve në përbërjet e tyre kishin lojtarët e grup-moshës së kadetëve që është premtuese për të ardhmen.

Superliga e meshkujve në javën e fundit pati ndeshjen kyçe të Kampionatit, e cila vendoste se kush do të jetë i pari për këtë vit. Elting Kosova e kishte fituar ndeshjen e parë në pranverë dhe kishte epërsinë e dy pikëve, megjithatë në bazë të stinorëve të kaluar, gjithherë ballafaqimi ndërmjet këtyre dy skuadrave ka sjellë rivalitet të lartë, pa marrë parasysh formën aktuale të tyre (Baton Çitaku nuk ishte në formë të mirë, si dhe mungoi Yll Prestreshi). Kjo ndodhi edhe kësaj radhe. Për të ditur fituesin e ndeshjes u desh të luhej edhe meçi vendimtar, i pesti, pas të cilit Eltingu ia doli ta mbrojë titullin e kampionit. Rrahman Ademi shënoi një fitore, ndaj Betim Sejdiut, kurse Milot Makolli e mundi Baton Çitakun dhe u mund nga Linor Çitaku, i cili edhe pse shënoi dy fitore nuk pati ndihmën e shokëve të tij për të fituar meçin. Loja vendimtare u zhvillua ndërmjet Jeton Oruçit dhe Baton Çitakut, dhe në një moment u mendua se Elting Kosova kishte gabuar taktikisht në paraqitjen e përbërjes së ekipit dhe pritej që Batoni, si lojtari i parë në renditjen e FPPK-së, do të shënonte fitore, atë e befasoi Oruçi dhe e mposhti madje me 3:0 në sete. Ndeshjet tjera ishin nën hijen e derbit. Ahmet Hoxha shënoi fitore ndaj Ilir Lushtakut i cili megjithë humbjen e ruajti statusin e anëtarit të Superligës, Mushtishti u mposht nga Shkolla dhe me këtë humbje u zhvendos në një rang më të ulët të garave. Elif 19 fitoi pa lojë, pasi Trepça nuk erdhi për ta zhvilluar ndeshjen.

Liga e parë e meshkujve, nuk mund të shquhet me ndonjë paraqitje të mirë pasi disa klube për shkak të problemeve në organizimin e tyre dhe mungesës së përgjegjësisë edhe njëherë me mosparaqitjen e tyre në xhiron e fundit e zbehën mundin e ekipeve tjera që ishin më serioze.

Më herët kalimin në Superligë e kishin siguruar KP Prizreni dhe KP Hankook nga Prishtina, kurse Hasan Prishtina u rendit e treta para KP Galileos në pozitën e katërt. Sigurisht skuadrat tjera nga vendi i 5-8 (përveç Therandës) do të duhet ta rishqyrtojnë pjesëmarrjen e mundshme vitin e ardhshëm në këtë ligë, pasi nga organet përkatëse të FPPK-së kanë paralajmërime se nuk do të tolerohen.

 

FPPK - Zyra per informim