"TOP" Kadetet e Junioret
Navigimi

MËRGIM VELIU DHE NEHARE JANJEVA TOP JUNIORË/ET E VITIT

2013-11-17

Prishtinë, 17/11/2013.

Sot, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë u mbajt turneu cilësor i fundvitit TOP 8&TOP 12, ku pjesëmarrës ishin 8 junioret dhe 12 juniorët më të mirë të vitit.

Në grupmoshën e junioreve, u zhvilluan ndeshje interesante për vendin e pare. Megjithëse është pritur dueli ndërmjet Nehare Janjevës dhe Iliriana Halitit, atyre hesapet ua prishi Hanife Zeqiri, e cila u shndërrua në protagonist për vend të pare. Të tria lojtarët shënuan nga 4 fitore dhe një humbje dhe meqë duelet direkte nuk e zgjidhnin epilogun real u desht që të kalkulohet set dallimi në duelet e tyre direkte. Në fund, E para doli Nehare Janjeva, në të dytin Iliriana Haliti, kurse në të tretin Hanife Zeqiri. E katërta doli Arta Dajaku me 2 fitore e 3 humbje, e pesta doli Era Janjeva me një fitore  e katër humbje, kurse renditjen e përmbylli Trina Mziu pa fitore të shënuar. Munguan Era Fazlija dhe Fjolla Rama.

Top 12 e juniorëve përbëhej nga gjysma e lojtarëve junior dhe gjysma tjetër kadetë. Dy vendet e para u rezervuan për dy juniorët më të mirë Mërgim Veliut dhe Orhan Kurteshit, kurse vendet 3 dhe 4 u takuan dy kadetëve: Blendon Luta dhe Petrit Dragidella. Nga vendet 5-12 u renditën: Ersan Ramiq, Leart Beqiri, Donat Krasniqi, Labinot Veliqi, Jon Shala, Filip Adjanciq, Aurel Drejta dhe Riad Çitaku.

Pas ndeshjeve në grupe (2 grupe nga 6), për gjysmëfinale u kualifikuan Mërgimi, Orhani, Blendoni dhe Petriti. Mërgim Veliu, pati rezistencën e fortë të Blendon Lutës, por me lojë të forte kaloi në finale. Në duelin tjetër, Orhan Kurteshi, me shumë vështirësi e mundi Petrit Dragidellën e këndellur në fund të vitit, për tu ndeshur në finale me rivalin e tij të zakonshëm. Përballja e dy finalistëve ishte ndeshja më e bukur por, edhe më e paqartë sa i përket epilogut përfundimtar. U desh të luhen 5 seta për tu ditur fituesi. Të dy lojtarët fituan nga dy seta dhe në setin e pestë Orhani pati epërsinë 5:1 dhe për një moment u fitua përshtypja se ai do ta fitojë finale, por në vazhdim Mërgimi bëri kthesë në rezultat dhe me meritë e përmbylli këtë stinor si më I miri I grupmoshës së tij.

Në ndeshjen për vendin e tretë, Blendon Luta e mundi Petrit Dragidellën, shumë luftarak. Blendoni, sot zhvilloi dy ndeshje të mira, kundër finalistëve të sotëm, kurse vendi I tretë për të ishte i merituar.

Si befasi mund të konsiderohet vendi I fundit I Riad Çitakut, të tretit në renditjen e përgjithshme, si dhe plasmanet jo të mira të Jon Shalës (I nënti) dhe Donat Krasniqit (I shtati).

 

Vendi i parë u shpërblye me Kupë e medale, kurse i dyti dhe i treti me medale.

JON SHALA DHE ERA JANJEVA TOP KADETËT E VITIT

Prishtinë, 10/11/2013.

Sot, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë u mbajt turneu cilësor i fundvitit TOP 8, ku pjesëmarrës ishin 8 lojtarët më të mirë të vitit, në grup-moshën e kadetë/eve.

Në grupmoshën e kadeteve, Era Janjeva ishte më superiore se moshataret e saj dhe i fitoi të gjitha takimet duke e mbrojtur titullin nga viti i kaluar. Ndeshje me rivalitet të theksuar, të një niveli që nuk është parë më parë në asnjë garë të pingpongut te ne, u zhvillua ndërmjet 5 pingpongisteve tjera që përfunduan garën me pikë të njëjta, por për renditjen e tyre vendosi set dallimi nga duelet e tyre direkte. Eranda Rama KP Drenica, Edolina Sadiku KP Drita, Blenda Maloku KP Drita Alma Mehmeti KP Drita dhe Adelina Teraku KP Drenica regjistruan nga tri fitore dhe nga tri humbje. Me 9:7 në seta të fituar Rama doli e dyta, kurse me 8:7, Alma Mehmeti doli e treta dhe fitoi medalje të bronzit. Gentiana Shala KP Drenica u rendit e fundit pa fitore, kurse Liza Kabashi KP Theranda, nuk u paraqit.

Në grupmoshën e kadetëve, po ashtu u tregua pingpong i nivelizuar, por i një cilësie shumë të mirë. Nga 8 më të mirët, 7 vinin nga klubet e kryeqytetit, kurse vetëm Filip Adjançiq vinte nga KP Galileo. Shumica e ndeshjeve përfunduan me rezultat të ngushtë 3:2 në sete, dhe plotësisht e vërtetuan renditjen aktuale, si 8 më të mirët për këtë vit.

Më i disponuari doli të jetë, Jon Shala, i cili shënoi 6 fitore dhe pësoi vetëm një humbje. Për vendin e dytë u zhvillua luftë e fortë ndërmjet Petrit Dragidellës, Blendon Lutës dhe Filip Adjançiçit që patën nga 5 fitore e nga dy humbje. Në bazë të set dallimit më të mirë Petriti doli i dyti, Blendoni i treti, kurse Filipi u rendit i katërti. Befasoi për të mirë sidomos, Petriti që përveç lojës aktraktive ishte edhe efektiv dhe u prishi llogaritë të tjerëve. Befasi jo e këndshme është pozita e pestë e Donat Krasniqit, i cili ka qenë ndër favoritë për të dalë i pari. Leart Beqiri doli i gjashti me piki të njëjta si Donati, por vendosi dueli direkt i tyre. Yll Dragidella, megjithë ndeshjet e mira nuk pati forcë që ti përballojë 7 ndeshjeve me ritëm të lartë dhe u rendit i shtati, kurse renditjen e përmbyll Elvedin Çollakoviç, si më i riu nga rivalët, por loja e tij është shumë premtuese dhe ndoshta më e bukura për ta shikuar.

Duhet thënë se të gjithë lojtarët, nga aspekti teknik, dëshmuan nivel të kënaqshëm që mund të matet me cilësinë e rajonit ballkanik. Mbetet të shpresojmë se puna me këta djelmosha do të vazhdojë edhe më tej për zhvillimin e tyre, për të qenë kompetitiv me moshatarët e tyre të nivelit, së paku ballkanik.

Vendi i parë u shpërblye me Kupë, kurse i dyti dhe i treti me medale.